Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se për politikat elektorale ditore nuk duhet të rrezikohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosova duhet të jetë besnike e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Në asnjë rrethanë me asnjë politikë elektorale të politikës ditore nuk guxojmë të rrezikojmë këtë partneritet të SHBA-së dhe këtë mbështetje të jashtëzakonshme sepse adresë tjetër Kosova nuk ka të sinqertë mbështetëse përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në rrethanat tjera, një kokëfortësi, një veprim popullsitë do të mund të cenojë rëndë bashkëpunimin dhe mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën”, ka thënë Thaçi në një intervistë për RTV21.
I pari i vendit ka thënë se Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e SHBA-së, në të kundërtën do të ketë pasoja në rrafshin politik, diplomatik si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, transmeton Gazeta Sinjali.
“Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e SHBA-së përndryshe mund të kemi pasoja në rrafshin politik, diplomatik, të njohjeve, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, por që është edhe më e keqja do të mund të ndalen edhe investimet ekonomike që do të jetë pastaj me pasoja të pariparueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe për hapa të mëtutjeshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.
Më tej, ai ka shtuar se cenimi i raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ndodhë.
“Nuk ka çështje më e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që ndërlidhen me politikat elektorale ditore kur krahasohet cenimi i raporteve Kosovë – SHBA, kjo nuk duhet të ndodhë nuk do të lejojmë që të ndodhë…Jemi popullata më pro amerikane dhe qeveria e Kosovës duhet të marrë vendimet e drejta, të shpejta, të qarta”, ka përfunduar Thaçi./Gazeta Sinjali/