Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet ta mandatoj për kryeministër “pjesëtarin e organizatës terroriste”, Albin Kurtin.
Kreu i shtetit i cili po përballet me kallëzim penal nga lideri i Vetëvendosjes nën akuzën për shpifje, do të detyrohet që rivalit kryesor politik deri në armiqësi, me duar të tij t`ia jap të drejtën për formimin e Qeverisë, në përputhje me mandatin e tij kushtetues.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, shumica e qytetarëve ka zgjedhur që për mandatin e ardhshëm qeverisës t`i përfaqësoj “terroristi” i Hashim Thaçit, të cilin ata e shohin si shpresë për ndryshim sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit për të cilin “kreditin” më të madh e ka Partia Demokratike e Kosovës e cila ka udhëhequr vendin prej vitesh.
Vendimi i sovranit ndëshkoi partinë që drejtonte dikur Hashim Thaçi, i cili ndonse kishte kaluar në pozitën e presidentit nuk arriti të zhvishej nga petku partiak i PDK-së dhe të përfaqësonte unitetin e popullit.
Në vazhdën e kësaj, presidenti i vendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk e kishte uruar Albin Kurtin për fitoren.
Hashim Thaçi, njihet për kundërshtitë e ashpra politike me liderin e VV-së Albin Kurti.
Përmes konferencave të ndryshme, Thaçi si kryeministër dhe kryetar i PDK-së e akuzonte Kurtin për lidhje me Rusinë dhe njerëzit e Putinit. Ai poashtu kishte thënë se Vetëvendosje po financohet nga individë nga Irani dhe se drejtuesit e saj po dërgojnë ekipe të rregullta mujore për trajnim në Stamboll, ndonëse asnjëherë nuk kishte arritur t`i mbështes me prova këto pretendime.
Hashim Thaçi ashtu sikurse kreu aktual i PDK-së Kadri Veseli, kishin vazhduar me akuza ndaj liderit të Vetëvendosjes duke e lidhur emrin e tij edhe me veprimet e organizatës ‘Syri i Popullit’.
“Ai njeri është ideatori dhe njerëzit e rrethit të tij, i themelimit dhe veprimit të organizatës terroriste Syri i Popullit që ka përpiluar lista për ekzekutimin e njerëzve, të politikës në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe njerëz të shoqërisë civile dhe mediave”, kishte thënë Thaçi për Albin Kurtin.
Për këto deklarata, Thaçi e Veseli po përballen në gjyq me kreun e LVV-së, Albin Kurti dhe deputetin Glauk Konjufca, të cilët më 25 prill kishin ngritur kallëzim penal për lajmërim apo kallëzim të rremë.
Ditë më parë, drejtuesit e Vetëvendosjes u ftuan në prokurori për t`i dhënë dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast. / Gazeta Sinjali/