image Thaçi shpreson se në vitin 2020 do të zhbllokohet dialogu me Serbinë

Politikë

Politikë/ Thaçi shpreson se në vitin 2020 do të zhbllokohet dialogu me Serbinë

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur optimist se në vitin 2020 do të vazhdojë dialogu me Serbinë.

Inkurajues drejt një marrëveshje eventuale me Serbinë, Thaçi e vlerësoi emërimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e posaçëm që pritet t’i çojë përpara përpjekjet e SHBA-ve për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Viti 2019 ka qenë natyrisht një j i lehtë i plotë vështirësive me plotë pengesa dhe i lodhshëm, rraskapitës, por në relacionet Kosovë-Serbi, por në të njëjtën kohë dua të shpresoj që 2020 do të jetë vit i cili do të zhbllokojë rrethanën e krijuar dhe ta kemi vazhdimin apo fillimin e një procesi të ri politik të dialogut. Është jashtëzakonisht inkurajues caktimi nga Shtëpia e Bardhë nga SHBA si i ngarkuar special i ambasadorit Grenell  për t’u marrë me këto çështje. Mendoj se kjo e rrit shpresën dhe besimin dhe optimizmin e institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës për një marrëveshje eventuale të domosdoshme, paqësore, përfundimtare  mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë“, tha Thaçi.

Këto komente presidenti i Kosovës i bëri gjatë  një bashkëbisedimi me gazetarë me rastin e fundvitit.

I pyetur se a do përgjigjet në rast se Gjykata Speciale i dërgon ftesë për intervistim, Thaçi tha se do të përgjigjet pozitivisht.

“Nëse më vjen ftesa, natyrisht që do t’i përgjigjem dhe është jashtëzakonisht inkurajuese bashkëpunimi i të gjithë bashkëluftëtarëve me dhomat e specializuara dhe Kosova është shembull i mirë i këtij bashkëpunimi, për çka e vlerësoi me mirënjohjen më të lartë këtë përgjegjësi dhe guxim qytetar”, tha ai.

Dialogu Kosovë-Serbi është ‘ngrirë’ që nga vënia e taksës 100 për qind nga ana e Prishtinës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e kësaj takse, derisa kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj këmbëngulë se taksa duhet të hiqet vetëm pasi Serbia të njohë Kosovën shtet. /Gazeta Sinjali/