image Thaçi: Serbia do të përgjigjet për masakrën e Reçakut, ndërkombëtarët po heshtin

Lufta/ Thaçi: Serbia do të përgjigjet për masakrën e Reçakut, ndërkombëtarët po heshtin

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut kanë bërë homazhe në nderim të 45 viktimave në këtë fshat.

Nga Reçaku ata kërkuan drejtësi për të gjitha masakrat që kanë ndodhur në Kosovë, si dhe sugjeruan bashkësinë ndërkombëtare të mos heshtin, siç thanë për krimet kundër njerëzimit.   

Presidenti Thaçi theksoi se herët apo vonë, shteti i Serbisë do të jap llogari për gjenocidin dhe spastrimin etnik që ka bërë në Kosovë.

Thaçi adresoi kritika edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare, ku sipas tij ata kanë zgjedhur të heshtin për t’i dhënë hapësirë Serbisë që edhe të mohojë gjenocidin.

“Edhe kjo masakër si kur gjitha masakrat tjera do të jenë ato që ne kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen. Dua të shpreh revoltën time edhe sot, që drejtësia ndërkombëtare për fat të keq duke mos dashur të ia prish qejfin Serbisë ka heshtur për të zbardhur rastet e 400 masakrave të kryera në Kosovë. Masakra e Reçakut, Izbicës, Krushës edhe shumë të tjera. Ka heshtur drejtësia ndërkombëtare edhe në rastet e dhunimit të grave, dëbimit të mbi 800 mijë qytetarëve, shqiptar nga Kosova. Sido që të jetë rrugëtimi jonë është ai euroatlantik do të punojmë fuqishëm për të ardhmen evropiane. Të konsolidojmë dhe forcojmë edhe më tepër shtetin tonë”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi pasi bëri homazhe dhe nderoi secilën nga 45 viktimat e kësaj masakre tha se asnjë njeri në botë nuk mund të mohojë krimet kundër njerëzimit.

“Por gjithmonë duke kërkuar drejtësi që shteti i Serbisë të jap llogari herët a vonë për gjenocidin dhe spastrim etnik që ka ndodhur në Kosovë. Edhe tendenca e fshehjes, apo mohimit të krimit nga autoritetet serbe, në veçanti ndaj masakrës së Reçakut është një sjellje e mentalitetit të Sllobodan Millosheviqit. Në  të njëjtën kohë kjo sjellje ka ardhur si pasojë e heshtjes ndërkombëtare për masakrës e Reçakut, që për 20 vite të tëra, përveç ambasadorit Walker nuk vinë për të vizituar dhe sensibilizuar këtë masakër. Kështu që ishte edhe një shtytje dhe guxim nga autoritet e Serbisë për të pretenduar dhe mohuar masakrën e Reçakut. Por nuk ka njeri në botë që mund të mohoj krime kundër njerëzimit që ka kryer Serbia”, tha presidenti i Kosovës.  

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta duke folur për masakrën e Reçakut, tha se çdo mohim i kësaj masakre është rrezik i riciklimit të dhunës në rajon.

“Ishte një përgjegjësi dhe detyrim i imi për të qenë këtu, së bashku me presidentin Thaçi edhe më të gjithë ju për t’u përkulur me nderim të pakufishëm përpara kujtimit të fëmijëve të moshuarve të banorëve të Reçakut të masakruar barbarisht 20 vite më parë me një akt që nuk mund të përmblidhet më saktë me tre fjalë siç bëri 21 vite më parë ambasadori Walker, krime kundër njerëzimit….Çdo përpjekjeje për të mohuar jo vetëm masakrën e Reçakut, por çdo masakër tjetër nuk është gjë tjetër veç rrezik për riciklimin e dhunës”, tha presidenti Meta.

Më 15 janar 1999 forcat serbe kanë vrarë në  fshatin Reçak  të Shtimes 45 civilë shqiptarë. Kjo masakër ishte ndër më të rëndat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Në atë kohë ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së Wiliam Walker pati deklaruar se ky është krim kundër njerëzimit. /Gazeta Sinjali/