image Thaçi reagon për taksën: Kokëfortësia dhe mungesa e veprimeve i ka prishur raportet me SHBA-në

Kosovë

Politikë/ Thaçi reagon për taksën: Kokëfortësia dhe mungesa e veprimeve i ka prishur raportet me SHBA-në

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që të largohet taksa sa më shpejt pasi sipas tij mos veprimi në këtë drejtim e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur raportet me SHBA-në.

Thaçi ka thënë se largimi i plotë i taksës është rruga e vetme për t’i arritur qëllimet shtetërore dhe strategjike.

Presidenti ka theksuar se Sekretari Pompei dhe Këshilltari për Siguri Nacionale, O’Brien kanë kërkuar që me urgjencë të merren vendimet e duhura.

“Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, hezitimi për të marrë vendime të shpejta, të mençura dhe të plota është i panevojshëm.

“Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”, është shprehur Thaçi. /Gazeta Sinjali/