Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar vetëm pak kohë pasi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli njoftoi se ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.
Thaçi shkroi se nuk ka gjykatë që mund ta njëllosë Veselin dhe luftën e tij, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka thënë se ndjehet krenar që ka qenë gjithmonë bashkëpunëtor i Veselit, duke theksuar se Veseli ka moralin më të lartë politik, patriotik dhe ushtarak.
“Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak”, shkroi mes tjerash Thaçi.
Presidenti nënvizoi se lufta e UÇK-së është kauza më e pastër dhe më e drejtë që mund ta ketë një popull në histori. /Gazeta Sinjali/