Presidenti Hashim Thaçi e ka vizituar Odën Ekonomike të Kosovës. Pas kësaj vizite, ai u deklarua para mediave duke thënë se kjo kohë është aspak e lehtë për vendin, institucionet dhe shoqërinë.
Sipas Thaçit, duke punuar bashkë do të mundësohet edhe rimëkëmbja ekonomike në vend.
“Pasi që edhe Kosova sikur vendet tjera të rajonit gradualisht por suksesshëm po e kalon këtë situatë emergjente, natyrshëm shtrohet obligim para të gjithë neve, si institucione të vendit, të gjithë mekanizmave kosovare dhe shoqërisë civile e mediave të rikthehemi në ripërkushtim maksimal për rikthimin e jetës sa më normale, por në veçanti për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Thaçi.
Ai theksoi se do të punojnë të gjithë bashkërisht sepse është jetike që të nxjerret një pako e plotë, e qartë dhe e nevojshme në përputhshmëri me interesat dhe nevojat e biznesit.
“Në mënyrë që të kemi rikthim të ekonomisë, gjithashtu drejtpërdrejt të kemi interesim të veçantë për sektorin privat, për kujdesin që duhet ë vazhdohet të tregohet ndaj punëtorëve, që të vazhdojë prodhimi dhe të shohim edhe gjithë masat tjera që mund t’i ndërmarrim si institucione me angazhim të përbashkët, në spektrin politik në mënyrë që të kemi një sukses edhe në të ardhmen”, deklaroi ai.
“Për fat të keq deri tani kemi pasur qasje jo serioze dhe të dështuar të Qeverisë së Kosovës sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, por duhet të vazhdohet edhe me implementimin e plotë të gjitha investimeve kapitale që kanë qenë dhe për investime e tjera që janë të domosdoshme për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarët. Besoj se bashkërisht mund t’ia dalim”, shtoi Thaçi. /Gazeta Sinjali/