Presidenti i Kosovës këtë javë pritet të ftojë në takim për konsultime të gjithë liderët e partive politike, për të shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë së re.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri deklaroi se ende nuk dihet nëse kjo parti do t’i shkojë në takim presidentit Thaçi përderisa ende nuk ka ftesë zyrtare.
“Është problem i presidentit. Neve nuk ka thirrur ende në takim. Pa e marrë ftesën ne nuk flasim. Kur të na e dërgojë ftesën, ju tregojmë. Ne një qeveri e kemi rrëzuar për shkak të këtyre problemeve, nuk na ka thirr askush ende neve. Nuk paragjykojmë asgjë në këtë situatë”, tha Haziri.
Për dallim nga kjo parti, Haxhi Shala nga Nisma Socialdemokrate tha se me të marrë ftesën nga presidenti, do të shkojnë si parti për konsultime në lidhje me qeverinë e ardhshme.
“Së pari ne do të shkojmë në takim dhe të bisedojmë me të gjithë liderët, për të bërë një zgjidhje më të mundshme për vendin. Për një qeveri gjithëpërfshirëse apo një parti që të mund të formojë qeverinë. Presidenti duhet sa më shpejt të ftojë liderët e partive politike, dhe të merr mendimin e të gjithëve për të parë si të dalim nga kriza. Ne jemi për institucione stabile, pasi në këtë kohë vendit i duhet një qeveri stabile, e cila di të merr vendime”, tha Shala për KP.
Zëdhënësi për media në Partinë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi thotë se pa e marrë ftesën nga presidenti, nuk mund të deklarohen nëse do t’i përgjigjen pozitivisht ose jo.
“Nuk kemi pranuar ende ftesën, pa ftesë nuk kam ndonjë koment”, tha Bytyçi.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, nuk ka deklaruar ende nëse do t’i përgjigjet ftesës së presidentit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se presidenti Thaçi duhet të mendojë për datën e zgjedhjeve, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Presidenti Thaçi pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës kishte deklaruar se pa humbur kohë do t’i ftojë për konsultime liderët e të gjitha partive politike për të shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë së re. E për këtë, ai kishte thënë se këtë do ta bëjë të hënën, duke shtuar se do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës./Gazeta Sinjali/