image Thaçi për intervistimin në Hagë: Ky proces është vazhdimësi e 21 vjetëve me akuza, shpifje e fabrikime

Kosovë

Thaçi për intervistimin në Hagë: Ky proces është vazhdimësi e 21 vjetëve me akuza, shpifje e fabrikime

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që është kthyer nga Haga ku u intervistua nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, u është drejtuar qytetarëve të vendit për t’i informuar lidhur me këtë proces.

Ai thotë se ky proces është vazhdimësi e 21 vjetëve me akuza, shpifje dhe fabrikime për liri dhe shtet.

“Siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush. Ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare”, ka thënë Thaçi. /Gazeta Sinjali/