image Thaçi pasi Kurti nuk i shkoi në takim: S’mund t’i presim teket apo hujet e askujt

Kosovë

Deklaratë/ Thaçi pasi Kurti nuk i shkoi në takim: S’mund t’i presim teket apo hujet e askujt

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas takimeve që mbajti me liderët e partive politike ka mbajtur sot një konferencë për media.

Thaçi tha se krahas takimeve me liderët e partive politike, ka qenë i paraparë dhe i konfirmuar takimi me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

“Për sot ka qenë e planifikuar, e dakorduar dhe e konfirmuar që të ndodhë edhe një takim me kryeministrin e qeverisë së Kosovës dhe liderin e VV-së, Albin Kurti. Për fat të keq edhe pse takimi ka qenë i konfirmuar nga zyra e tij qysh të premten në mesditë për sot në orën 13:00, pasiqë ftesa ime ka qenë që takimi të ndodh rreth orës 08:30, 09:00 apo 09:30, me kërkesën e tij takimi ishte planifikuar dhe dakorduar që të ndodh në orën 13:00. Por, për fat të keq pesë minuta para orës 13:00 është anuluar ky takim nga Zyra e Kryeministrit Kurti”, ka thënë fillimisht i pari i vendit.

Presidenti Thaçi tha se kryeministrin Kurti do ta takojë atëherë kur ai mendon se është në interes që të takohet, por që sipas tij Kosova nuk ka kohë të humbasë dhe të pres teket e askujt.

“Unë do ta takoj kur mendon se është me interes që të takohet, por Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe për t’i pritur teket apo hujet e askujt. Kosova ka nevojë për një unitet politik, institucional, qytetarë veprues për të arritur suksese. Kur kemi qenë të bashkuar kemi arritur suksese dhe besoj se do të kemi sukses edhe tash. Askush i vetmuar nuk do të mund t’i realizojë objektivat qytetare, kushtetuese, ligjore dhe t’i hapë perspektivë vendit edhe perspektivë zhvillimore edhe euroatlantike”, tha më tej Thaçi.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka deklaruar se nuk do të zhvillojë takim me presidentin Thaçi pasiqë si kryetar i LVV-së nuk ka interes dhe gatishmëri ta takojë Thaçin, ndërsa si kryeministër e ka obligim./Gazeta Sinjali/