image Thaçi pas takimit me Lajçakun: Ka ardhur koha që të hidhet në tavolinë njohja reciproke me Serbinë

Politikë

Thaçi pas takimit me Lajçakun: Ka ardhur koha që të hidhet në tavolinë njohja reciproke me Serbinë

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian ta hedhë në tavolinë çështjen e njohjes reciproke, si pikë e parë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, njohja reciproke mund të garantojë stabilitetin në rajon, fqinjësi të mirë mes dy vendeve dhe të garantojë të ardhmen evropiane.

Këto komente presidenti i bëri gjatë një konference për media pas takimit që pati me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

“Besoj që ka ardhur momenti që BE-ja të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke, sepse kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes.  Unë dua të besoj që njohja reciproke me standardet e përcaktuar mund të jetë mundësi e mirë që garanton stabilitet në rajon, fqinjësi të mirë mes dy vendeve tona, dhe që garanton të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Thaçi foli shumë pak për takimet që ka pasur në Washington, mirëpo pa përmendur emra të zyrtarëve më të cilët është takuar.

“Edhe në takimin që kam pasur para disa ditësh, po ashtu në Washington në takimet me autoritetet e larta e pastaj ne Paris shoh një koordinim më të mirë edhe tek Bashkimi Evropian me SHBA-të dhe ky është një mesazh i qartë edhe për ne që të jemi sa më unik në këtë proces të dialogut përballë Serbisë në këtë proces”, tha Thaçi. /Gazeta Sinjali/