image Thaçi: Paqja në rajon varet nga paqja e përhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Kosovë

Thaçi: Paqja në rajon varet nga paqja e përhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në Samitin për Paqe të Evropës Juglindore 2019 në Tiranë, i cili organizohet nga Federata Universale e Paqes.

Presidenti Thaçi ka thënë se paqja që u arrit me intervenimin e Aleancës Veri-Atlantike, në pranverën e vitit 1999-të, ishte mbi të gjitha rezultat i një politike vizionare të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ky vizion i dha fund, një herë e përgjithmonë, tragjedive të njëpasnjëshme në këto anë të Ballkanit dhe Evropës me shpresë për ta shndërruar paqen e atij viti, përmes Paktit të Stabilitetit, në një fillim të ri për gjithë rajonin.

“Samiti i Selanikut i BE-së në vitin 2003, në vijim të këtij hapi të madh strategjik të Washingtonit dhe Brukselit, edhe formalisht hapi kapitullin e perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar presidenti.

Kreu i vendit më tej ka shtuar se Kosova u bë shtet i pavarur në shkurtin e vitit 2008-të, duke shtuar tutje se, së bashku me njohjet e para të pavarësisë së Kosovës erdhi edhe mesazhi për perspektivën evropiane për shtetin më të ri në rajon dhe në Evropë.

“Se çfarë ka ndodhur më pas, kur bëhet fjalë për transformimin e paqes në një gjendje permanente dhe në stabilizim afatgjatë në mes të shteteve dhe popujve të kësaj pjese të Evropës”, presidenti ka thënë se “Nuk mund të mburremi askush, as në rajon, as në Bruksel, me rezultatet e këtij Projekti të përbashkët”.

Sipas tij, paqja e para njëzet viteve, solli një entuziazëm të jashtëzakonshëm të të gjithë neve, qofshim politikanë apo qytetarë të kësaj ane të Evropës.

“Nuk besoj që ka pasur politikanë apo qytetarë në Kosovë, apo kudo në këtë pjesë të Ballkanit, që ka mundur të supozojë që njëzet vjet më pas, i gjithë ky rajon nuk do të bëhej pjesë e BE-së”, ka thënë ai, duke shtuar tutje se “Kush do të besonte që marrëdhëniet në mes të këtyre shteteve dhe popujve, nuk do të bëheshin sipas shembullit të Francës dhe Gjermanisë në njëzet vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.

Presidenti Thaçi ka thënë se askush nuk ka mundur të imagjinojë në verën e vitit 1999-të, që njëzet vjet më vonë, ne ende nuk do ta kemi një Marrëveshje politike me Serbinë për njohje reciproke, dhe për krijimin e rrethanave për fqinjësinë e mirë.

“Janë humbur raste të mëdha që ta arrijmë këtë Marrëveshje, ndërsa ne kemi qenë të gatshëm gjithmonë që ta shtrijmë dorën për Marrëveshje”, ka thënë presidenti.

Sipas tij, paqja afatgjatë e Ballkanit Perëndimor, në masë të madhe varet nga paqja e përhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë, – pra nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, – e cila nuk ka si mos të përfundojë pa njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

“Kjo Marrëveshje megjithatë, siç dihet, ka edhe atë anën tepër të rëndësishme të shtytjes politike dhe ekonomike nga ana e BE-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar më tej se jemi të vetëdijshëm për hamendjet, dyshimet dhe ngecjet e Brukselit karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne në Kosovë po e paguajmë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke shtuar më tej se “na është bërë një e padrejtë, njësoj si edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se është i sigurt që e tëra kjo, as për ne në Kosovë dhe as për miqtë tanë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk shkakton hamendje, dyshime dhe ngecje se çka duhet të bëjmë, si duhet të sillemi tash e tutje në raport me BE-në.

“Ne duam të bëhemi shtete anëtare të BE-së, sa më parë që është e mundur, sepse nuk kemi fat tjetër politik dhe historik, dhe as që duam fat dhe ardhmëni tjetër politike dhe historike”, ka theksuar presidenti, e që sipas tij, “Këtu më duhet t’i kthehem bindjes sime të thellë që më së miri do të ishte nëse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, së bashku do të inkuadroheshin në BE.

Ai më tej ka thënë se në ndërkohë, ato do të duhej t’i zgjidhnin të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet që i kanë në mes veti.

Ai ka thënë se është i bindur që skena politike kosovare ka vullnet të përbashkët  që sa më parë që është e mundur t’i vazhdojë bisedimet me autoritetet e larta të Serbisë, me shtytjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për Marrëveshje Gjithëpërfshirëse. 

“Nuk kemi kohë për të humbur. Kohën dhe rrethanat ndërkombëtare të cilat mund të parashikohen, nuk i kemi aleat. Dialogu nuk ka alternativë. Përshpejton edhe procesin për anëtarësim në familjen euroatlantike”, ka thënë presidenti./Gazeta Sinjali/