Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit yë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë duhet të sqarojnë se pse Behgjet Pacolli kishte devijuar fluturimin e tij për në Prishtinë.
Sipas Thaçit, Pacollit i ishte rrezikuar jeta nga “grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës për z.Pacolli që i kanosej gjatë flutirimit për në Prishtinë si dhe pse ka devijuar z.Pacolli në drejtim të Tiranës”, tha ai.
Ditën që mbërriti nga Tirana në Prishtinë, Pacolli kishte thënë se ishte frikësuar nga ndonjë “sulm terrorist nga ana e institucioneve të Kosovës”.
“Leja ime e fluturimit njëherë është anuluar. Është kushtëzuar leja e dytë me implikime tjera, kinse në dhënien e lejes duhet involvuar disa ministri vitale të Kosovës. Unë fluturoj me një fluturake. Unë herën e parë jam frikësuar nga institucionet e shtetit se mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në mua, andaj kam ndryshuar destinacion”, kishte thënë Pacolli.
Qeveria në detyrë kishte kërkuar nga Pacolli që me të ardhur në Prishtinë të vendosej në karantinë sikurse të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet tjera.
Por, Pacolli kishte kërkuar të mos i nënshtrohej këtij rregulli duke thënë se ai nuk po lejohet të kthehet në Kosovë për shkak të votimit të qeverisë së re. /Gazeta Sinjali/