Pas vrasjes në Prizren, ku dyshohet se një grua u vra nga burri i saj, ka reaguar edhe presidenti, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se dhuna në familje është e papranueshme. Njëherësh, Thaçi u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të ndalet dhuna.
“Dhuna në familje është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë. Shpreh keqardhje të thellë për rastin e fundit në Prizren, derisa familjes i shpreh ngushëllimet në këto momente shumë të vështira. Nuk mund të ketë asnjë arsye për të ushtruar dhunë në familje e aq më pak për të marrë një jetë njeriu. Le të jetë kjo thirrje jo vetëm për organet e drejtësisë, por për tërë shoqërinë që të ndalet dhuna”, ka shkruar Thaçi.
Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është shprehur i prekur nga ky rast.
“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj./Sinjali/