Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk e ka ditur paraprakisht se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me kushtetueshmërinë e dekretit me të cilin ai e mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër.
Thaçi po ashtu mohoi të ketë pasur ndikim në këtë aktgjykim, por ai tha se ka qenë i bindur se nuk ka pasur shkelje kushtetuese në këtë dekret. Madje, ai shtoi se kjo ishte edhe arsyeja që ai ishte “i relaksuar”.
“Nuk e kam ditur vendimin. Nuk kam pasur asnjë ndikim, madje as që kam pretenduar të kem ndikim. Relaksimi im ka ardhur nga ajo se kam qenë i bindur në drejtësinë e vendimit dhe dekretit tim, sepse në procedurë kam respektuar plotësisht vullnetin e njerëzve të Kosovës, e shumicës së partive politike dhe dy të tretave të përfaqësuesve të zgjedhur të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Kam respektuar edhe aktgjykimin e vitit 2014, të gjitha procedurat e nevojshme dhe të drejtën kushtetuese dhe ligjore. Atë disponim që e kam pasur para vendimit e kam edhe sot”, ka thënë Thaçi në Klan Kosova.
Thaçi shtoi se është i bindur se Gjykata Kushtetuese nuk merr vendime politike, duke thënë se ky institucion ka shkuar në drejtim të asaj që askush nuk mund ta bllokojë ndërtimin e institucioneve të vendit./GazetaSinjali/