Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se e ka nënshkruar dekretin për gjendje të jashtëzakonshme, rreth gjendjes së krijuar nga koronavirusi.
“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sontëm me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i # COVID19”, ka shkruar Thaçi në “Twitter”.
Propozimin për gjendje të jashtëzakonshme Thaçi e dha të marten mbrëma, gjatë një konference shtypi pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Megjithatë, Qeveria, gjatë një konference pas asaj të Thaçit, e quajti këtë gjë masë ekstreme dhe të panevojshme.
Për të hyrë në fuqi, dekreti duhet të votohet nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, Thaçi mbrëmë njoftoi se propozon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ky propozim u kundërshtua nga zëvendëskryeministri Haki Abazi përmes një konference. Ai propozimin e Thaçit e quajti të panevojshëm e dashakeq.
Propozimi i Thaçit duket se e ka ndarë në dysh edhe qeverinë, me LVV-në që e kundërshton këtë dhe me LDK-në, kryetari i së cilës, Isa Mustafa kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dje paradite. /Gazeta Sinjali/