Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do t’i mundësohet të tentojë edhe një mandat tjetër pesë vjeçar në krye të vendit. E kjo mund të shihet të arrihet përmes ndryshimeve Kushtetuese në kuadër të reformës zgjedhore.
Reformë e cila është edhe në programin qeverisës së kryeministrit, Avdullah Hoti.
Partneri kryesor qeverisës i këtij të fundit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se janë për idenë që presidenti të votohet direkt nga qytetarët.
“Ne e kemi propozuar, ka vite dhe kemi marrë pjesë në ato diskutimet e atëhershme përmes partive për ndryshime të Ligjit Zgjedhor. Janë disa ndryshime të nevojshme, duhet edhe një herë të kthejmë diskutimin për mënyrën e zgjedhjes së të zgjedhurëve. Veçanërisht për presidentin, e që ne kemi propozuar qysh atëherë të zgjidhet direkt nga qytetarët…të gjithë garojnë atëherë, nuk është kjo garë e kufizuar, garon presidenti Thaçi, por garojnë edhe të gjithë tjerët”, u shpreh Haradinaj për KP.
Ndonëse e mohojnë ndërlidhjen me presidentin Thaçi, në LDK thonë se nuk kanë ende një qëndrim se cila rrugë të ndiqet për çështjen e të parit të shtetit.
Kryetari i komisionit për legjislacion nga kjo parti, Shkëmb Manaj tha se opsionale janë dy versione, por më e mira sipas tij është reforma në largimin e dy raundeve të para ku duhet të jenë mbi 81 deputetë të pranishëm.
Ai thotë se presidenti mund të zgjedhet në raundin e parë dhe me prezencën dhe shumicën minimale prej 61 deputetëve.
E kategorik kundër kësaj mundësie është lideri Lëvizjes Vetëvendosje. Ish kryeministri Albin Kurti, i cili thotë për KosovaPress, se në këtë kohë kjo nuk është nevojë e qytetarëve, por vetëm e një presidenti që po i skadon mandati.
Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i kanë mbetur rreth shtatë muaj mandat, derisa vazhdimisht ka theksuar se nuk do të jetë kandidat sërish, nëse nuk ndryshohet mënyra e zgjedhjes të parit të vendit.
Ai ka vite që po insiston të bëhen reformat Kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjedhet nga qytetarët. Një iniciativë e tillë është prej vitit 2011, ku grupet punuese të atëhershme kanë hartuar një draft-ligj, por që nuk ka gjetur përkrahje nga partitë parlamentare./ Gazeta Sinjali/