Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak, pak ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka quajtur atë si ‘trillim’.
Kreu i shtetit tonë me këtë rast bëri thirrje që masakra e Reçakut të mos harrohet asnjëherë, pasi ajo është pika kulmuese e masakrave të kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë.
“Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë. Ka vrarë rreth 1300 fëmijë, e kanë dhunuar rreth 20 mijë gra. Në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë. Ritheksoj Reçaku shënon pikën kulmuese të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për fat të keq ende ata të cilët kanë kryer këtë krim kundër njerëzimit dhe gjenocidin nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, e ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet e as duke i etiketuar e fyer të vrarët. Krahas kësaj, ka theksuar se e ardhmja ndërtohet vetëm atëherë kur lidershipi i Serbisë kërkon falje për krimet që ka kryer në shtetin e Kosovës.
Presidenti Thaçi me këtë rast nuk kurseu kritikat as ndaj ndërkombëtarëve.
“Heshtja e ndërkombëtarëve dhe mos vizita e tyre sidomos këtu në Reçak që e theksoj se është pika kulmuese e masakrave nga shteti serb, e ka hapur gojën dhe e ka amnistuar edhe lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë me krenari të mohojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosove”, tha presidenti Thaçi.
Ndryshe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar. Ai ka akuzuar ish-shefin e misionit verifikues të OSBE-së, Walker, për falsifikim të saj.
Reagimi i tij erdhi pasi një gjykatë në Kosovë dënoi me dy vjet burg një ish-ministër serb në Qeverinë e Kosovës, i cili e kishte quajtur masakrën trillim.
Menjëherë pas këtij reagimi, ambasadorja e Kosovës , Vlora Çitaku ka shkruar në Twitter se ky është një turp për Serbinë.
“Presidenti i Serbisë sapo deklaroi se masakra e # Reçak ishte një krim i fabrikuar. Kjo është çmenduri e totale! Reçaku ishte një tragjedi e cila shpalosi dhe zbuloi para syve të botës egërsinë e vërtetë të regjimit serb në Kosovë. Turp për Serbinë”, shkruan ajo në Twitter.
Masakra e Reçakut ka ndodhur më 15 janar 1999, ku u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe. /Gazeta Sinjali/