Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar takimin e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai nuk ka dhënë shumë detaje për takimin, por, ka kërkuar t’i mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët.
“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm.”, shkruan presidenti, transmeton Gazeta Sinjali.
Postimi i tij i plotë:
Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.
Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm.
Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë.
SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë! HTH. /Gazeta Sinjali/