Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka nisur sot një letër kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit, nga e cila ka kërkuar që të bëhen përgatitjet për seancën e sotme, të cilën e ka thirrur për në ora 16:00.
Dje, Presidenca ka dërguar shkresë zyrtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku ka kërkuar që presidentit të vendit, Hashim Thaçi t’i organizohet një seancë për t’i njoftuar deputetët në lidhje me vizitën e realizuar në SHBA dhe takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Thaçi e ka njoftuar Kryetaren e Kuvendit se në pajtim me nenin 84 të Kushtetutës kërkon t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të bëhen edhe përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e kësaj seance.
Deri më tani kryesia e Kuvendit nuk ka thirrur ende mbledhje për seancën e sotme./Gazeta Sinjali/