image Thaçi insiston, ia dërgon edhe një letër Kurtit

Kosovë

Mandatari/ Thaçi insiston, ia dërgon edhe një letër Kurtit

news image

Presidenti Hashim Thaçi ia ka dërguar një letër tjetër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.

Thaçi i ka kërkuar sërish Kurtit që ta propozojë kandidatin e ri për kryeministër për ta formuar qeverinë e re, pas mocionit të mosbesimit që rezultoi me rrëzimin e qeverisë.

Ai i ka thënë Kurtit se është në pritje të përgjigjes së tij në kërkesën që ia ka përcjellë më datë 2 prill 2020 për të propozuar kandidatin/en për Kryeministër dhe formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Siç e dini, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë të datës 25.03.2020, kam zhvilluar takime konsultative me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar nëse është në interesin e partive politike formimi i Qeverisë së re apo shpërndarja e Kuvendit. Shumica e partive politike janë deklaruar që janë për formimin e Qeverisë së re. Në këtë drejtim, duke marrë parasysh aktet e sipërpërmendura ua kam dhënë mundësinë që si Lëvizje Vetëvendosje të propozoni kandidatin/en për Kryeministër. Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me të drejtë presin funksionalizimin e Qeverisë së re dhe presin nga unë të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër”, shkruan në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Në këtë letër zyrtare, Thaçi dhe një herë ia ka rikujtuar Kurtit se mandati i tij kushtetues e obligon që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit apo kandidates për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. /Gazeta Sinjali/