Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka dërguar edhe një ftesë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit për t’ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë.
Presidenca njofton se takimi i radhës nga Thaçi është thirrur për nesër në orën 10:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Thaçi ka thënë se e kupton pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në dy takimet e thirrura më herët, duke e falenderuar Kurtin për përgjigjen zyrtare.
“I nderuar Z. Kurti, Fillimisht, ju falënderoj për përgjigjen zyrtare në dy ftesat e mia. Duke mirëkuptuar pamundësinë e pjesëmarrjes suaj në dy takimet e së premtes, po ju shkruaj edhe një herë për të njëjtën çështje. Me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, si President i Republikë së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Andaj, me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ, me datën 31 dhjetor 2019 në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Me respekt, Hashim Thaçi”, thuhet në letrën e Thaçit dërguar Kurtit.
Kjo është ftesa e tretë me radhë që Thaçi ia bën liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq ky i fundit dje ka thënë se datën e formimit të qeverisë atij nuk ia cakton presidenti. /Gazeta Sinjali/