image Thaçi i përgjigjet Hotit: Presidenti e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar

Politikë

Thaçi i përgjigjet Hotit: Presidenti e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, ndërsa pas këtij aktiviteti është ndalur të flasë para gazetarëve për dialogun me Serbinë, nga e cila u çliruam pikërisht më 11 qershor të vitit 1999.

I pyetur për të disatën herë nëse ai apo kryeministri Avdullah Hoti do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, Thaçi nuk është përgjigjur decidivisht, por ka thënë se këtë proces do ta bartin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve, duke përsëritur se nuk është në garë me Hotin për këtë çështje, shkruan Gazeta Sinjali.

“Do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve të Kosovës. Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, do ta vlerësojmë njëri-tjetrin. Ne edhe të bashkuar do të përballemi me vështirësi e pengesa të mjaftueshme, prandaj do të ketë energji pozitive, përkushtim të përbashkët dhe rezultate të përbashkëta. Nuk jemi në garë me njëri-tjetrin”, është shprehur Thaçi.

Sipas tij, presidenti e përfaqëson vendin brenda dhe jashtë dhe gjithçka rreth kësaj është e rregulluar me Kushtetutë.

“Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutë dhe asnjë organ nuk qëndron mbi Kushtetutën”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se “autoritetet dhe kompetencat janë të qarta dhe të pastra si loti dhe nuk ka asnjë dilemë”.

Kryeministri Hoti dje teksa e prezantoi platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë, tha se në këtë proces kryenegociatori do të jetë ai. /Gazeta Sinjali/