image Thaçi i kërkon Borrellit liberalizimin e vizave

Kosovë

Politikë/ Thaçi i kërkon Borrellit liberalizimin e vizave

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, me të cilin ka diskutuar për perspektivën evropiane dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

Sipas njoftimit të zyrës së Presidentit, Thaçi dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.

Sipas këtij njoftimi, presidenti ka theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat sipas tij, janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Me këtë rast, Thaçi njoftohet se i ka kërkuar Borrellit, që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, citohet t’i ketë thënë Thaçi në bisedën telefonike, përfaqësuesit të lartë të BE-së.

Kërkesë e Borrellit ishte nevoja e rifillimit të dialogut Kosovë – Serbi. Me të cilën, nga zyra e presidentit thonë se edhe Thaçi është pajtuar për rifllimin e pakushtëzuar të dialogut si dhe domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në fund të bisedës, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret vizitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell në Kosovë./Gazeta Sinjali/