image Thaçi flet për koalicionin qeverisës, tregon nëse ka unitet për dialog

Politikë

Thaçi flet për koalicionin qeverisës, tregon nëse ka unitet për dialog

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e mbajtur me kryeministrin Avdullah Hoti, ka folur për qasjen e ndryshme të koalicionit qeverisës sa i përket dialogut.

Thaçi tha se opinionet dhe veprimet e partive politike që janë partnerë të koalicionit, janë përgjegjësi e tyre.

Ai u ka bërë thirrje që të ketë sa më shumë unitet të brendshëm në mënyrë që në dialog të jenë të bashkuar përball Serbisë.

“Sa i përket opinioneve të partive politike, partnere të koalicionit, është në përgjegjësinë e tyre edhe deklarimet edhe veprimet. Unë ftoj që të ketë edhe më tepër unitet. Kjo punë duhet të bëhet edhe me akterë jashtë partnerëve të koalicionit, të kemi përfshirje sa më të gjerë. Vetëm të bashkuar kemi ecur përpara edhe në Rambuje e Vjenë”, u shpreh Thaçi.

Thaçi më tutje për emërimin e Skender Hyseni si Koordinator Shtetëror për dialogun, tha se e ka mirëpritur dhe se ka përvojën e duhur për këtë pozitë.

“Si i përket emërimit të Hysenit, ai ka përvojë, ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova, është kontribues në aspektin pozitiv, unë mendoj se emërimi i tij do t’i shërbejë vendit tonë”, tha Thaçi.

Ndër të tjerash, presidenti theksoi se në dialog Kosova duhet të ketë kujdes në mënyrë që të mos rrëshqitet në dialog teknik.

“Dialogu teknik nënkupton status quo dhe kjo nënkupton që është në interes të Serbisë. Jam i bindur se pavarësisht diskutimeve që do të zhvillohen pa prezencën e SHBA-së, jam skeptik se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, përfundoi ai./ Gazeta Sinjali/