Ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti do të shprehej se ka refuzuar një vizitë në Washington, ku pjesëmarrës do të ishte edhe presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq, pasi aty ka patur një marrëveshje mes palëve në dëm të Kosovës.
Por në intervistën e tij për Syri TV, presidenti Hashim Thaçi e mohoi një gjë të tillë.
“Takimi me presidentin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ka qenë takim zyrtar. Ka qenë takim institucional dhe ka qenë transparent ku është diskutuar për vazhdimin e dialogut nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Nuk e di nëse z.Kurti ka qenë i ftuar në Shtëpinë e Bardhë”.
“Unë nuk jam prej atyre që refuzojnë takimet në SHBA. Do të ishte një goditje për shtetin e Kosovës. Nuk ndjehem inferior. Mund të takohem me këdo, kudo. Tash e 20 vite kemi fituar përballë Serbisë, qoftë edhe në Rambuje. Unë nuk di nëse z.Kurti ka qenë i ftuar sidomos pas sulmit që i bëri SHBA”, tha Thaçi.
Presidenti i Kosovës foli edhe mbi premtimet e presidentit rus Vladimir Putin në një takim ku merrnin pjesë edhe presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Nuk marr vendime në emër të Rusisë. Nuk ka diskutuar për pavarësi por ka deklaruar se do të respektojmë marrëveshjen Kosovë-Serbi. Unë nuk mund të ndryshoj qëndrimin e Rusisë”, deklaroi Thaçi. /Gazeta Sinjali/