image Thaçi e Haradinaj emëruan shefin e AKI-së, por çfarë thanë Mustafa e Kurti?

Kosovë

Paralajmërime/ Thaçi e Haradinaj emëruan shefin e AKI-së, por çfarë thanë Mustafa e Kurti?

news image

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, sot, në bashkërendim me presidentin Hashim Thaçi, kanë emëruar Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Profilet e të emëruarve Haradinaj i ka cilësuar si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së.

Emërimi i tyre u bë edhe përkundër parlajmërimit nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që kryeministri në largim të përmbahet në emërimin e shefit të AKI-së, pasi që sipas tij kjo detyrë i takon qeverisë së re.

“Qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa lideri i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Gazetën Sinjali, një javë më parë, ka thënë se qeveria në ikje duhet të gjejë një zgjidhje kalimtare, por emërimi i shefit të AKI-së , sipas Mustafës, duhet t’i lihet qeverisë së re.

“Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej  të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që Kryeministri i ardhshëm së bashku me Presidentin të zgjedhin drejtorin e ri”, ka thënë Mustafa.  

Kreshnik Gashi pason shefin e deritanishëm të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili dha dorëheqje nga ky post më 6 nëntor të këtij viti. Me rastin e paraqitjes së dorëheqjes, ai ishte dekoruar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj me Medaljen “Skenderbeu”. /Gazeta Sinjali/