Presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj sot janë marrë vesh që institucionin më të lartë të sigurisë në vend, AKI-në, ta udhëheqin dy njerëz shumë të njohur për ta.
Thaçi dhe Haradinaj, të cilët kanë pasur shumë mosmarrëveshje tash e një kohë, kanë vendosur që sot të bashkëpunojnë, dhe siç edhe parasheh ligji, ta emërojnë bashkë kreun e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, shkruan Gazeta Sinjali.
Drejtor i ri i AKI-së është emëruar Kreshnik Gashi, i cili ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kur kjo ministri udhëhiqej nga Hashim Thaçi.
Në anën tjetër, Burim Ramadani i AAK-së është emëruar Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së.
Ramadani, përveçse zyrtar i lartë i AAK-së, në qeverinë në largim ka qenë zëvendësministër i Mrojtjes. Ndërkaq në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, Ramadani kandidoi për deputet nga radhët e partisë së Haradinajt.
Njoftimin për emërimin e krerëve të rinj të AKI-së e bëri fillimisht kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, për të dalë më pas me një njoftim zyrtar edhe Zyra e Presidencës.
“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërëndim me Presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së. Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, ka shkruar Haradinaj.
Presidenca, ndërkaq, në njoftim e vë theksin te e drejta të cilin ligji ua jep Thaçit e Haradinajt për ta marrë këtë vendim.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë emëruar për Drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashin, si dhe për Inspektor të Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin. Ky vendim është marrë bazuar në nenin 84, paragrafin 21, bazuar në nenin 94, paragrafin 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas ligjit, drejtori i AKI-së emërohet për një mandat 5-vjeçar me mundësi zgjedhjeje edhe për një mandat tjetër.
Ky vendim ka ardhë pasi që më 6 nëntor, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Dorëheqja e tij u pranua nga Haradinaj, i cili e dekoroi Maxhunin me Medaljen e Skenderbeut, si vlerësim për profesionalizmin dhe besnikërinë në shërbim të atdheut. /Gazeta Sinjali/