image Alarmante: Tetë raste të dhunës në familje të raportuara 24 orët e fundit në Kosovë

Siguri

Alarmante: Tetë raste të dhunës në familje të raportuara 24 orët e fundit në Kosovë

news image

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë raportuar tetë raste dhunës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, njofton Gazeta Sinjali.

Rastet e dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, Graqanicë, Podujevë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.

Rasti në Prishtinë ka përfunduar me arrestimin e një personi, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar një femër shtetase të Rumanisë me të cilën edhe bashkëjetonte. Viktima nga sulmi ka pranuar tretman mjekësor, ndërkohë me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë në Graqanicë janë arrestuar dy të dyshuar, një femër dhe një burrë shtetas të Serbisë, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale që kishin pasur, janë përleshur fizikisht në mes veti. Si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore, atyre u është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Një grua nga Podujeva ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Policia ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari.

Edhe në Gjilan është arrestuar një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Ndërkohë, një person me të meta psikike në Prizren, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Sipas Policisë, viktimës dhe të dyshuarit u është ofruar ndihma mjekësore. Me urdhër të prokurorit kujdestar dhe në konsultim me psikiatrin, i dyshuari dërgohet në klinikën e forenzikës psikiatrike.

Një grua nga Peja ka njoftuar se edhe pse ishin ndarë me marrëveshje me bashkëshortin e saj, prapë i njëjti ka shkuar në lokacionin e viktimës dhe e ka kanosur me sms. I dyshuari me datë 07.01.2022 është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një person është arrestuar, pasi që kishte ushtruar dhunë psikike duke përdorur fjalë fyese ndaj bashkëshortes së tij. Viktima është dërguar në strehimore së bashku me një fëmijë të moshës dy vjeçare. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Ndërkaq, në Gjakovë janë arrestuar tre të dyshuar, pasi që njëri prej të dyshuarve kishte sulmuar vëllain e tij dhe më pas kishte ndërhyrë edhe prindi i tyre pasi që i dyshuari kishte tentuar që ta lëndojë veten me një thikë të kuzhinës. 
Të dyshuarit i është dhënë ndihmë mjekësore pasi që i njëjti ishte përdorues i substancave narkotike. Me vendim të prokurorit njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje./GazetaSinjali/