Pasi një prokurore e Prokurorisë Themelore në Pejë të martën rezultoi e infektuar me koronavirus, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka nisur testimin e kolegëve të saj me të cilët ajo kishte kontakt.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi e ka konirmuar për Gazetën Sinjali se sot i kanë kryer testet një pjesë e stafit të Prokurorisë që kishin kontakt me prokuroren.
“Sa kam unë informatë, stafi që kanë qenë në vetizolim, që kanë pasë kontakt të afërt me personin që ka rezultu pozitiv, i kanë kry sot testet”, ka thënë Nikçi.
Ndërsa prokurori Haxhi Sinanaj, i cili ndodhet në vetizolim pasi 17-vjeçarja e vrarë në Vitomiricë të Pejës rezultoi e infektuar me koronavirus, i ka thënë Sinjalit se të hënën do të merren për testim mostrat e të gjithë prokurorëve dhe punonjësve tjerë të Prokurorisë Themelore të Pejës.
“Në izolim jam. Të hënën krejt kemi me i bë testet. Kanë me ardhë në Pejë me na i marrë mostrat për analiza. Krejt Prokuroria Themelore në Pejë kanë me i bë testet për koronavirus”, ka thënë Sinanaj. /Gazeta Sinjali/