Sot në Prishtinë mbahet një aktivitet vetëdijesues për parandalimin e dhunës seksuale.
Aktiviteti do të mbahet sot në sheshin “Skenderbeu”, në Prishtinë nga ora 10:00.
“Ju ftojmë të bashkangjiteni me grupin Respect Our Rights – ROR në aktivitetin kryesor të fushatës vetëdijësuese për mosdiskriminim dhe parandalimin e përdhunimeve seksuale ‘Teshat nuk m’definojnë’. Ky aktivitet përmban një instalacion i cili e përfaqëson zërin tonë në lidhje me ngacmimet seksuale ndaj fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Organizata “Syri i vizionit”, thekson se përmes kësaj fushate synojnë të rrisin vetëdijësimin e qytetarëve në lidhje me këto dukuri.
Kjo fushatë realizohet në kuadër të programit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e tyre “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, zyra në Kosovë, dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.