Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Me një rast të frikshëm u përball edhe një familje në rrugën ‘Bastri e Ali Hyseni’ në Vushtrri, të cilëve një plumb që s’dihet se nga erdhi, ua dëmtoi një dritare të shtëpisë.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar zonja e shtëpisë, e cila ka deklaruar se gjatë mbrëmjes kanë dëgjuar një krismë të madhe jashtë dhe me të dalë për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, ka parë se xhami i dritares është thyer nga plumbi.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në vendngjarje kanë gjetur dhe konfiskuar një predhë që dyshohet të jetë e armës automatike që u përdor në rast.
Për momentin nuk ka persona të dyshuar dhe me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen dhe të arrestohen të dyshuarit.