image Tërmkolli ia tërheq vërejtjen Kurtit: "Dur” Albin, “dur”

Kosovë

Reagimi/ Tërmkolli ia tërheq vërejtjen Kurtit: “Dur” Albin, “dur”

news image

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka përmendur dy gabime që sipas saj Albin Kurti i ka bërë ende pa e nisur detyrën si kryeministër.

Tërmkolli i ka cilësuar të gabuara deklaratën e Kurtit që i beson Edi Ramës, dhe për “Minishengenin ballkanik”.

Ajo e fillon me ‘Dur Albin, Dur’ postimin e tij në Facebook, shkruan Gazeta Sinjali.

Tërmkolli ka cituar deklaratat e Kurtit se “Shqipëria nuk është për shkëmbim territoresh”, si dhe atë se “minishengeni ballkanik, është një ide jo serioze”.

Shkrimi i plotë i Milhate Tërmkollit:

“dur” Albin, “dur”

Ende pa filluar detyrën e pretenduar të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti bëri dy deklarata krejtësisht të gabuara. Nga takimi me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, ai deklaroi se “Republika e Shqipërisë nuk është për shkëmbim territorial “ dhe së dyti se “minishengeni” ballkanik, Serbi-Shqipëri-Maqedonia e Veriut qenka veҁ një ide pa ndonjë efekt dhe jo një projekt serioz.

Është e drejtë e secilit të takohet me kryeministrin e Shqipërisë apo me këdo qoftë por si kryeministër në ardhje i Kosovës, një takim mbi katër orësh, në terrin e natës, në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, si bartës i idesë dhe projektit për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë e që ishte arësye për një “distancë” bukur të gjatë mes tyre, është më tepër se shqetësues. Nuk e tha Edi Rama se është kundër shkëmbimeve territoriale mes Kosovës e Serbisë. Po të ishte se Edi Rama paska hequr dorë nga ky projekt, u dasht të dalin që të dy para medieve dhe ai vetë ta deklarojë këtë në mënyrë decidive. Por kjo nuk ndodhi. Albini e “fshehu’ qëndrimin e Ramës, madje e “shfajësoi” atë. Rrjedhimisht, pse Albini nuk u takua fillimisht me Presidentin Thaҁi, cili është dallimi në këtë mes?!

Nuk mund të quhet kjo kurthë e Edi Ramës për Albinin, sepse edhe ai dhe gjithë bota i ka të njohura qëndrimet dhe veprimet e Edi Ramës në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Janë të njohura poashtu qëndrimet e Albin Kurtit. Ekziston një rrezik i madh në këtë mes që Albini i joshur nga “ëndërrat” për bashkim kombëtar të pranojë ҁmimin më të lartë në dëm të Kosovës, ndarjen e saj edhe përtej ideve aktuale për “korrigjim” të kufijve. Me gjasë të gjithë “po harrojnë” se pretendimet e Serbisë shkojnë deri në Durrës.

Takimi me shtetasin rus, mikun e Putinit, aktorin francez, Gerard Depardieu, e bënë tablonë edhe më të plotë. Mund të jetë krejt rastësi!

Së dyti, është për tu habitur me ҁfarë lehtësie e kaloi Albini ҁështjen e “minishengenit” ballkanik e cila nuk është e ndarë nga ajo e shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës. Përjashtimi i Kosovës dhe Malit të Zi në vend të përjashtimit të Serbisë nga kjo ide dhe iniciativë e mëhershme dhe pranimi i tendencave të vazhdueshme të Edi Ramës, se është ai që flet e merr vendime në emër edhe të Kosovës, e bënë Albinin një vasal ende pa filluar punën.

Për bashkim kombëtar flasim e bëjmë pas njohjes së Kosovës shtet i pavarur edhe nga Serbia edhe nga të tjerët që ende nuk na kanë njohur.

Albini, si kryetar i LVV mund të takohet me kë të dojë dhe të shpërfaqë gjithë idetë e qëndrimet e tij politike. Si pretendent kryeministër i Kosovës, në këtë rast por edhe në raste tjera secili zyrtarë i lartë shtetëror bartë përgjegjësi për politika shtetërore.

Sa për kujtesë: Ramush Haradinaj u bë kryeministër i Kosovës nga koalicioni PAN si kundërshtar i madh i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Puna e parë që bëri si kryeministër ishte miratimi i kësaj marrëveshjeje!

Projektet dhe punët e dëmshme për vendin nuk janë të tilla për shkak të emrave që i bartin ato projekte por për shkak të përmbajtjes së dëmshme që kanë për interesat e shtetit dhe qytetarëve.