Tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë la pas humbjen, dhimbjen, rrënojat dhe frikën, të gjitha këto reflektohen në kampin e familjarëve të prekur nga lëkundjet shkatërruese.
Dhe kur vjen puna te fëmijët, të parët që përballen me frikën, gjendja nuk paraqitet pozitive. “Për momentin janë akoma në një situatë që nuk e dinë se ku”, thotë Fleura Shkëmbi. Ajo është njëra nga ato që iu përgjigj Urdhrit të Psikologut për t’u ardhur ne ndihme te prekurve nga tërmeti dhe te vegjlit përbejnë misionin e saj “Fëmijët harrojnë kur merren me lojë. Përmes veprimeve dhe ushtrimeve nxjerrin ankthin, stresin”.
Fëmijët duan lojën, por puna me ta është e vështire. Sipas psikologëve të vegjlit duhet të ndjejnë sigurinë se ajo që ndodhi nuk do ripërsëritet dhe ata janë të sigurt. U duhet shpjeguar ajo që po ndodh në mënyrën më të thjeshtë, duhet t’i qetësojmë e t’i bindim se janë shumë njerëz që po angazhohen për sigurinë e tyre. Por mbi të gjitha, ata duhet të shprehen mbi çka përjetojnë. Dhe punën kryesore në këtë pikë e kane prindërit. “Fillimisht prindërit duhet të ruajnë qetësinë e tyre. Duhet ta tregojnë me pamjen e tyre. Alarmi që është në kamp, situata është e rënduar”, thotë psikologia Adelina Pjetra.
Në kampin e Thumanës janë ngritur 85 çadra dhe mbrëmjen e të martës në të janë strehuar 100 familje të prekura nga tërmeti, me fëmijët e tyre.