Kryeministri shqiptar Edi Rama thirri në mesnatë një mbledhje urgjente të qeverisë, pas tërmetit 5.8 ballë të shkallës Rihter që goditi Shqipërinë rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme.
Lëkundjet e tërmetit janë ndier edhe në mesnatë. Një goditje e fortë, 5 ballë, është shënuar pikërisht teksa po zhvillohej live mbledhja e qeverisë.
Ka qenë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili po raportonte mbi masat policore ndaj pasojave të tërmetit, kur ka thënë se “po përpiqem të mos më lëkundet zëri mua, se godina po lëkundet”, duke mos fshehur frikën e momentit të shkaktuar nga lëkundja e fortë e cila është regjistruar me magnitudë 4.9 ballë i shkallës Rihter.