image 'Term joadekuat' e quan Besnik Bislimi postimin që iu demantua nga zyrtari i Këshillit të Evropës

Politikë

‘Term joadekuat’ e quan Besnik Bislimi postimin që iu demantua nga zyrtari i Këshillit të Evropës

news image

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas demantimit që iu bë nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Bislimi përmes një cicërime në Twitter tha se i vjen keq që nuk e ka përdorur termat adekuat, ku në vend të fjalës ‘ai mirëpriti’ është dashur të përdoret ‘ne informuam’.

“Me të vërtetë falënderues për @DSGBjornBerge për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të thotë “ne informuam”, shkroi Bislimi.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Bislimi kishte thënë se Berge mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në KiE, deklaratë e cila u përgënjeshtrua nga ky i fundit.

“Kënaqësi të takoj Bjorn Berge gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Diskutimi ynë u fokusua edhe në theksimin e progresit të vlerësuar, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar zëvendëskryeministri kosovar.

Në një ‘retweet’, Berge ka deklaruar se kjo nuk është saktësisht ajo se çfarë ka thënë ai në në lidhje me një aplikim të mundshëm në KiE gjatë takimit me Bislimin.

 “Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në KE”, kishte shkruar zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës.

/GazetaSinjali/