image Tërheqja e "Contour Global" nga "Kosova e Re", flet zëdhënësi i qeverisë

Kosovë

Projekti/ Tërheqja e “Contour Global” nga “Kosova e Re”, flet zëdhënësi i qeverisë

news image

Qeveria e Kosovës thotë se nuk është njoftuar zyrtarisht nga kompania amerikane “Contour Global” për tërheqjen e saj nga planet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk kanë pranuar njoftim zyrtar nga kompania amerikane për këtë çështje.

“Më lejoni të ju njoftoj se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga “Contour Global” i cili sygjeron atë se çfarë është raportuar në media”, ka thënë Kryeziu.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci e ka cilësuar betejë të fituar tërheqjen e “Contour Global” nga projekti 1.3 miliard euro.

Sipas një njoftimi të “Contour Global”, arsye për tërheqjen është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Si arsye tjetër ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

Partia e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, e ka kundërshtuar në vazhdimësi projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” sa ishte në opozitë.

Para dy vitesh, Albin Kurti si deputet në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar se kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë amerikane “Contour Global” e vë interesin shtetëror të Kosovës në shërbim të një ndërmarrje të huaj private.

Gjithashtu, një nga 3 njerëzit më të pushtetshëm në Qeverinë Kurti, zëvendëskryeministri Haki Abazi e kishte quajtur “kancer të qytetarëve” projektin për termocentralin.

Kundërshtimin e ndërtimit të këtij termocentrali LVV e kishte nisur qysh moti. Madje, në vitin 2016 ishin angazhuar edhe fizikisht për këtë çështje. Aktivistë të kësaj partie kishin zbrazur një kamion me thëngjill para objektit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në shkurt të vitit 2016 për të treguar se  Kosova ka kapacitete dhe potencial që ta zgjidhë vetë krizën e saj energjetike. /Gazeta Sinjali/