Pa përkujdesje familjare e shëndetësore kanë mbetur disa persona me sëmundje mendore në Komunën e Podujevës. Të tillët, tërë kohën e kalojnë rrugëve e parqeve të qytetit.
Për shkak të bartjes së ushqimeve me vete, ata pothuajse çdoherë janë të shoqëruar nga qentë endacakë, të cilët mund të jenë të rrezikshëm për kalimtarët e sidomos fëmijët. Komunarët e Podujevës i kanë ikur përgjegjësisë për këta persona.
Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi, nëpërmjet Zyrës për informim, ka thënë se të sëmurët mendorë janë pacientë të Qendrës së Shëndetit Mendor në Podujevë, e cila është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Kjo qendër është e obliguar për përkujdesjen dhe rehabilitimin e kësaj kategorie”, ka thënë Thaçi.
Por, psikiatri në Qendrën e Shëndetit Mendor, Orhan Qerimi, ka thënë se janë më shumë se 20 persona që refuzojnë të marrin trajtim mjekësor dhe se kjo u lejohet edhe me ligj.
Qerimi thotë se ata mund t’i trajtojnë këta persona pavullnetshëm vetëm në rast se shkaktojnë ndonjë incident dhe kjo bëhet me një vendim të gjykatës, ose nga një komision prej tre anëtarësh, të cilët e vlerësojnë nëse kjo është e nevojshme. Por, për shkak të mungesës së automjetit, kjo qendër i ka ndalur vizitat edhe nëpër shtëpi për t’i trajtuar personat që kanë probleme mendore, raporton Koha.
“Ka disa persona që refuzojnë (të marrin trajtim v.j.) edhe ata nuk vijnë te na. Nuk ka shumë, por nuk vijnë. Ka më shumë se 20 që refuzojnë të vijnë të marrin trajtim. Në rastet kur bëjnë ndonjë incident, na marrin policia edhe shkojmë ia japim terapinë. Po tash që nuk e kemi veturën nuk mundemi. Tash që nuk e kemi veturën nuk ofrohet shërbimi në shtëpi”, ka theksuar Orhan Qerimi.
Ai tregon se pas prishjes së automjetit të kësaj qendre, e kishin fituar një donacion nga Ambasada japoneze për një veturë, por e njëjta vetëm tre muaj ka qëndruar këtu, pasi ajo u është marrë përkohësisht në shfrytëzim nga Qendra në Prishtinë.
Prejse është shfaqur pandemia COVID-19 janë ndalur edhe qëndrimet ditore të këtyre personave në Qendër, ku 15-20 veta në ditë zhvillonin aktivitete të lira dhe merrnin ushqim e pije falas.