Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit, ndaj të pandehurit P.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të: vrasjes në tentativë, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Sipas njoftimit të Gjykatës me datën 07 gusht, në orët e mëngjesit, në Suharekë, i pandehuri P.M., tenton të privoj nga jeta personin tjetër – të dëmtuarin me të cilin kishte një mosmarrëveshje të më hershme, në atë mënyrë që fillimisht ia dëmton me gur xhamin e automjeti të të dëmtuarit, meqenëse i dëmtuari nuk ndalet i pandehuri P.M., vrapon pas tij, e më pas i del mbrapa dhe me armën automatike gjuan disa herë në drejtim të dëmtuarit, kështu shkakton edhe rrezik të madh për jetën e njerëzve, në vend publik- rrugë kryesore në Suharekë, në atë mënyrë që gjuan me armën të dëmtuarin, duke rrezikuar edhe jetën e pjesëmarrësve tjerë të pranishëm në vendin ku ka ndodhur ngjarja, si dhe posedon armë në kundërshtim me ligjin.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprave panele të cilat i vihen në ngarkim të pandehurit dhe pasojave të shkaktuara, dhe me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të arratisen dhe t’i shmanget dhe të pengojnë procedurën penale- hetimore”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.