image Nxënësja e ngacmon ish-profesorin, avokati: Është e fiksuar pas tij, thotë “unë e dua” - Sinjali

Nxënësja e ngacmon ish-profesorin, avokati: Është e fiksuar pas tij, thotë “unë e dua”

news image

Dje në degën e Gjykatës Themelore në Suharekë është mbajtur një seancë gjyqësore ku është trajtuar rasti i ngacmimit nga një nxënëse për ish-profesorin e saj – rast i cili është duke u trajtuar që nga viti 2018.

Ruzhdi Gashi, avokati i ish-profesorit, ka thënë se ish-nxënësja e shqetëson ish-profesorin dhe është e fiksuar me të.

“Objekt i çështjes është ngacmim nga ana e një femre për një profesor të nderuar dhe të respektuar. I dëmtuari që e përfaqësoj unë është ngacmuar nga një femër, ish-nxënëse e tij para 5-6 vjetësh. I ka dhënë mësim dy ose tre muaj dhe ajo shkon te vendi i punës, në rrugë, në shtëpi ose kudo që është diku. I çon mesazhe në Facebook, Instagram dhe rrjete të tjera sociale. E shqetëson me pretendimin që ‘unë të dua’ dhe asgjë tjetër.”

“E kam pyetur profesorin nëse ka pasë ngacmim, joshje ose lidhje me të të mëhershme që e ka nxitur femrën. Ai deklaron se nuk ka pasë absolutisht asgjë më herët, por asaj i është fiksuar dhe i shkon pas dhe e shqetëson. Për ta vërtetuar këtë që e thotë pala e dëmtuar edhe vetë e akuzuara nuk deklaron asgjë tjetër pos asaj që thotë ‘Unë e dua’. Edhe në deklaratat që ka dhënë në polici, prokurori dhe gjykatë nuk thotë se ka pasë ngacmim ose joshje.”

Gashi ka thënë se vajza është dënuar një herë, por e njëjta e ka përsëritur veprën penale.

“Ajo në gjykatë e pranoj fajin, por nuk heq dorë nga veprimet e saj që shqetësojnë vazhdimisht. Nga biseda që pata me profesorin del se vitin e fundit i ka më të rralla shqetësimet. Ndoshta edhe me vendimin e gjykatës do ta kuptojë që dashuria nuk bëhet me zor. Mendoj që ka një fiksim për arsye të shumta që unë nuk jam profesionalisht i lëmisë për t’i shpjeguar“, tha ai në KlanKosova.

Avokati i palës së dëmtuar në këtë proces gjyqësor ka thënë se pala e akuzuar i është nënshtruar edhe një ekzamiminimi mjekësor i cili ka rezultuar të jetë në rregull./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin