Rastet e dhunës në familje në Kosovë çdo ditë e më shumë po shtohen, duke rritur kështu pasigurinë në shumë familje, raste që shpesh kanë çuar deri në tentim vrasje, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Malishevë, ku një person ka tentuar ta vrasë me thikë gruan e tij, por në ato momente kishin ndërhyrë fëmijët e tyre dhe e kanë ndaluar babanë, mëson Gazeta Sinjali.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se viktima e kishte denoncuar sot rastin në Stacionin Policor të Malishevës.
“Sot rreth orës 11:00, në Stacionin Policor në Malishevë ka ardhur ankuesja dhe ka deklaruar se ka dhunë të vazhdueshme nga burri i saj. Sipas saj mbrëmë kishin pasur një fjalosje mes vete dhe i pandehuri kishte tentuar që të marrë një thikë dhe ta vrasë por kanë ndërhyrë fëmijët dhe e kanë ndaluar. E njëjta pohon se ai e ka kanosur me vrasje, andaj duke u bazuar në të gjitha ato veprime të tij, ajo ka ardhur për të kërkuar urdhër mbrojtje me largim nga shtëpia dhe të dërgohet në Shtëpinë e Sigurt, pasi që nuk ndihet e sigurt të kthehet në shtëpinë e saj”, tha Xhurkaj për Sinjali.
Tutje, ai njoftoi se i dyshuari është intervistuar dhe më pas është ndaluar për 48 orë, ndërsa e viktima përmes Qendrës për Punë Sociale së bashku me tre fëmijët e saj të mitur është dërguar në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë deri në një vendim tjetër.