Aleanca e NATO-s, bashkë me aleatët e saj, po dërgojnë anije dhe avionë luftarakë shtesë në Evropën Lindore, duke përforcuar mbrojtjen e Ukrainës përballë rrethimit ushtarak nga Rusia.
Me anë të një njoftimi, NATO bëri të ditur se disa aleatë të saj kanë bërë dërgesat aktuale. Danimarka është njëra nga disa shtetet ku në Detin Baltik do të dërgojë një anije luftarake dhe katër avionë luftarakë F-16 në Lituani, në mbështetje të misionit afatgjatë ajror të NATO-s.
Spanja po ashtu ka nisur anije për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s dhe po shqyrton edhe dërgimin e avionëve luftarakë në Bullgari.
Ndërsa, Franca ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar trupa në Rumani nën komandën e NATO-s.
Kurse ShBA është duke e shqyrtuar rritjen e pranisë ushtarake në pjesën lindore.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se mirëpret aleatët që kontribuojnë me forcat e tyre.
“NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të Aleancës. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, ka thënë Stoltenberg./GazetaSinjali/