Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Javad Zarif, ka zhvilluar takim në Teheran me homologun e tij nga Katari, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Agjencia e lajmeve IRNA njofton se kryediplomati i Katarit të shtunën ka arritur në kryeqytetin e Iranit, një ditë pas vrasjes së komandantit të Forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani në një sulm ajror në Irak.
IRNA njofton se Zarif dhe Abdulrahman kishin dy raunde të bisedimeve, pa dhënë detaje të mëtejme.
Duke folur gjatë takimit, Zarif tha se administrata amerikane do të mbajë përgjegjësinë për pasojat e vrasjes së Soleimanit.
“Republika Islamike e Iranit nuk kërkon tensione në rajon, por prania dhe ndërhyrja e forcave të huaja dhe jashtë rajonit kanë shkaktuar paqëndrueshmëri, pasiguri dhe përshkallëzim të tensioneve në rajonin tonë delikat”, tha ai.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Katarit ka përshkruar situatën si “delikate dhe shqetësuese”, duke bërë thirrje për zbutjen e tensioneve dhe kthimin e qetësisë në rajon.
Gjatë vizitës së tij, ministri i Katarit pritet që të takohet edhe me presidentin iranian Hassan Rouhani.
Soleimani, komandanti i Forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, u vra të premten nga një sulm ajror amerikan jashtë aeroportit të Bagdadit.
Vrasja e Soleimanit shënon një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që të tërhiqte SHBA-në në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili i dha Soleimanit çmimin më të lartë shtetëror vitin e kaluar, u zotua për “një hakmarrje të hidhur” si reagim ndaj vrasjes.
Pentagoni akuzoi Soleimanin për planifikimin e një sulmi ndaj kompleksit të Ambasadës së SHBA-së në Bagdad dhe se planifikonte të kryente sulme shtesë mbi diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe rajon.
Të premten, Katari u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe të shmangin zvarritjen e Irakut dhe rajonit në një dhunë të pafund.