image Tensionet Kinë-SHBA në qendër të Samitit të Asean

Botë

Tensionet Kinë-SHBA në qendër të Samitit të Asean

news image

Përshkallëzimi i tensioneve mes Washingtonit dhe Pekinit në detin e Kinës Jugore është në qendër të diskutimeve që janë hapur sot gjatë një samiti rajonal në Azinë Juglindore, ku dy fuqitë e mëdha do të marrin pjesë.

Takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (Asean), mikëpritësi i të cilit është Hanoi, do të mbahet me videokonferencë deri më 12 shtator.

Sekretari amerikan, Mike Pompeo dhe ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi do të marrin pjesë në debate, raporton ATSH, transmeton Gazeta Sinjali.

Që prej disa muajsh, Washingtoni dhe Pekini kanë rritur manovrat ushtarake në detin e Kinës Jugore, rrugë kyçe e tregtisë detare globale, ndër më të pasurat me burime dhe biodiversitetin nënujor.

Pothuajse e gjithë zona pretendohet nga gjigandi kinez, gjë që kundërshtohet nga disa vende fqinje si Filipinet, Malajzia, Brunei, Indonezia, Singapori dhe Vietnami të cilat dëshirojnë të kontrollojnë pjesë të saj.

Në fund të gushtit, SHBA-ja njoftoi sanksione kundër kompanive kineze dhe zyrtarëve të akuzuar për kontribut në “militarizimin” e këtij deti.

Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Washingtonit kanë hyrë në një epokë akulli, veçanërisht që nga fillimi i pandemisë COVID-19, të cilën presidenti i SHBA-së Donald Trump ia atribuon përgjegjësinë për mungesën e transparencës së autoriteteve kineze. /Gazeta Sinjali/