Departamenti i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, tha të enjten se ishte “i shqetësuar” për ushtrimet ushtarake kineze rreth një arkipelagu të diskutueshëm në Detin Jugor Kinez, duke vënë në dukje se manovrat do të “destabilizojnë më tej” rajonin.
“Departamenti i Mbrojtjes është i shqetësuar për vendimin e Kinës për të zhvilluar ushtrime ushtarake rreth Ishujve Paracel”, tha Pentagoni në një deklaratë.
Aktivitetet “destabilizojnë më tej situatën” në zonën e pretenduar nga Kina, Vietnami dhe Tajvani, thuhet në deklaratë.
Ushtrime të tilla shkelin gjithashtu “angazhimet e Pekinit nën Deklaratën e vitit 2002 për sjelljen e palëve në Detin Jugor Kinez”.
Deklarata, e nënshkruar nga kombet e Asosacionit të Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), thoshte se të gjitha palët “do të shmangnin aktivitetet që mund të komplikojnë ose përshkallëzojnë mosmarrëveshjet dhe që ndikojnë në paqen dhe stabilitetin”.
Pentagoni u bëri thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të mos ndërmarrin aktivitete ushtarake që mund të përkeqësojnë mosmarrëveshjet” në rajon, dhe tha se do të vazhdojë të monitorojë veprimtarinë ushtarake kineze, raporton AFP.
Rajoni besohet të ketë depozita të vlefshme nafte dhe gazi.
Ushtrimet kineze po zhvillohen në mes të një rritjeje të tensioneve SHBA-Kinë mbi pandeminë e koronavirusit. Washingtoni ka akuzuar Pekinin për fshehje të informacioneve pas paraqitjes së virusit në Wuhan./ Gazeta Sinjali/