Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës. Një rast i tillë i ka ndodhur dje shitësit të një dyqani ushqimore në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.
Këtë herë Sinjali mëson se një qytetar ka blerë gjësende ushqimore në këtë lokal, të cilat i ka paguar me një 50-she që dyshohet të ketë qenë false.
Siç duket kjo është një ‘metodë’ e re për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, pasi gjësendet që ka blerë i dyshuari kanë kushtuar rreth 5 euro dhe shitësi është t’ua kthejë të dyshuarve rreth 45 euro origjinal.
Në momentin e pagesës, shitësi s’e ka vërejtur se paratë mund të jenë të falsifikuara, por më pas e ka kuptuar se kartëmonedha dyshohet të jetë false.
Kujtojmë se paratë e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë. Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.