image Temperaturë, vjellje, kollitje e dhimbje fyti - Rritet numri i pacientëve me grip sezonal

Shëndetësi

Temperaturë, vjellje, kollitje e dhimbje fyti – Rritet numri i pacientëve me grip sezonal

news image

Temperatura e lartë, dhimbja e fytit, kollitja, vjellja dhe lodhja janë disa nga simptomat që e karakterizojnë gripin sezonal, për çka është rritur edhe fluksi i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Kështu bënë të ditur mjekja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Violeta Haxhija, e cila thotë se personat më të rrezikuar nga gripi sezonal janë fëmijët, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, me hipertension, si dhe gratë shtatzëna.

“Gjendja aktuale me gripin sezonal në Kosovë, kemi një fluks të rritur nëpër qendrat tona të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore nga simptomat e gripit…Gripi sezonal është një infeksion akut viral që shkaktohet nga virusi i influencës apo virusi i gripit i tipit A dhe B, që janë më të shpeshta. Simptomat e gripit sezonal janë kollitje, temperaturë e lartë, lidhje, plogështi, dhimbje e nyjeve, dhimbje e fytit, dhimbje e barkut, vjellje, diarre. Mirëpo, ne i kemi edhe disa simptoma që të rrezikshme që janë te fëmijët, për shembull nëse kemi vështirësi në frymëmarrje, skuqje të lëkurës, shtangim të qafës, vjellje pa ndërprerë, mosmarrje e lëngjeve, duhet menjëherë të lajmërohen tek mjeku familjar”, tha Haxhiaj.

Mjekja Haxhija tha se shenjat e rrezikut për të rriturit nga ky grip, janë dhimbjet e gjoksit, kraharorit, pengesa në frymëmarrje dhe konfuzion, për çka u shpreh se menjëherë duhet të merret trajtim mjekësor.

Lidhur me furnizimin e listës esenciale të barnave, ajo tha se qëndrojnë mirë.

Haxhiaj shtoi se është me rëndësi vaksinimi fillimisht i stafit mjekësor, pastaj edhe i qytetarëve, specifikisht i grave shtatzëna dhe personave të moshuar në mënyrë që të parandalohet virusi i gripit sezonal.

Ekspertja e shëndetësisë, Violeta Haxhija ndau disa këshilla për qytetarët që të parandalojnë virusin e gripit sezonal, derisa tha se duhet bërë ajrosja e dhomës, marrja e ushqimeve me vitaminë C dhe bërja e aktiviteteve fizike.

Ndërkaq, për personat të cilët veç janë prekur nga simptomat e gripit, mjekja këshilloi që të qëndrojnë në shtëpi, të bëjnë ajrosjen e dhomës dhe të kolliten apo teshtitjen në mënyrë të kujdesshme, që të mos përhapet virusin./KP/

/GazetaSinjali/