Pas intervistimit të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve në ARKEP, Kreshnik Gashi, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me gjendjen në PTK dhe Vala ka vazhduar me intervistimin e kryesueses së Bordit të Drejtorëve në Telekom, Besa Shatri-Berisha.
Kjo e fundit ka treguar se çfarë kur pritet të kthehen në Telekom numrat e klientëve të “Z-Mobile” pas ndërprerjes së kontratës.
“Kemi dërguar edhe një letër në ARKEP, që kjo fazë kalimtare të jetë sa më pak e ndjeshme, për këto 30 ditë, deri në 120 ditë. Shpresojmë që brenda këtyre ditëve t’i kthejmë 90 për qind të abonentëve në Telekom“, tha ajo.
Kryesuesja e Bordit të PTK-së ka thënë se numrat e Z-Mobile i takojnë Telekomit, pasi operatori i deritashëm virtual nuk ka infrastrukturë.
“Sa i përket numrave, Z-Mobile ka nën shfrytëzim numrat e Telekomit, nuk ka infrastrukturë të vet. Komplet shfrytëzimet duhet të kthehen në Telekom. Unë i kisha bërë thirrje ARKEP-it që të mbajë anën e drejtë, që të mos mbajë anën e operatorit virtual. Shërbimet do t’i kthejmë në Telekom. “, tha ajo.
Shatri-Berisha shtoi se ka pasur shumë pika të mosmarrëveshjes me “Z- Mobile”, ndër tjera edhe çështja e çmimeve.
“Ne i kemi një borxh Z-Mobile, ka edhe borxhe të pathyera që ata na i kanë neve. Kemi ushtruar 3 kallëzime penale. Nga implementimi i kësaj kontrate Telekomi ka humbur 15 milionë euro. Jemi në pritje të prokurorisë. Dy kallëzimit e fundit penale janë gjatë këtij viti, pas ekspertizës financiare”, u shpreh Shatri-Berisha.
Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu se cili është roli i ARKEP-it gjatë kësaj faze tranzitore, Shatri-Berisha tha se ky institucion duhet të ketë rol monitorues e jo interpretues. /Sinjali/