Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicën e Jugut, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka njoftuar se i plagosur ka mbetur një person i moshës 40-vjeçare.
“Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit, është plagosur viktima mashkull i moshës 40 vjeçar, i cili me urgjencë është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas është dërguar në QKUK- Prishtinë”, ka thënë ai për Sinjalin.
Zahiti ka treguar se 40-vjeçari fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, kurse më pas është transferuar për në QKUK në Prishtinë.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë, një predhë të plumbit, dhe një armë e llojit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari.
Tutje ai ka njoftuar se personi i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Rrjedha hetimore është duke vazhduar drejt zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ’’Vrasje e rëndë në tentativë’’, ka shtuar Zahiti.