image Të premten Palmer porosi Qeverisë së re për nisjen e dialogut, çfarë thotë Kurti për bisedimet?

Kosovë

Politikë/ Të premten Palmer porosi Qeverisë së re për nisjen e dialogut, çfarë thotë Kurti për bisedimet?

news image

Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti, ka thënë se dialogu Prishtinë-Beograd do të fillojë para zgjedhjeve në Serbi që do të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm. Kurti thotë se dialogun do ta udhëheq vetë pasi presidenti ta mandatojë si kryeministër.

Këto komente lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i bëri në Tiranë gjatë vizitës që pati atje me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

“Presim që Presidenti i Kosovës të ma jap mandatin mua, që më në fund edhe ai të bëjë një punë të hajrit. Dialogun e ardhshëm me Serbinë do ta udhëheq unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës. Ky dialog do të fillojë para zgjedhjeve në Serbi që janë në pranverën e vitit të ardhshëm”, tha Kurti para gazetarëve, transmeton Gazeta Sinjali.

Shtoi se taksa 100% ndaj produkteve serbe, me qeverinë e re “do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë”.

Gazeta Sinjali duke u thirrur në burime të veta ka raportuar ekskluzivisht se i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, do ta vizitojë Kosovën të premten, më 1 nëntor.

Gazeta Sinjali mëson se SHBA-ja do të kërkojë nga autoritetet kosovare që të angazhohen për rifillimin e dialogut me Beogradin zyrtar më së largu deri në muajin mars 2020, para fillimit të ciklit të zgjedhjeve në Serbi.

“Palmer do të takohet me liderët e partive kosovare si dhe me liderët institucionalë, ndërsa temë diskutimi pritet të jenë zhvillimet e fundit politike në vend dhe gatishmëria e autoriteteve të Kosovës për rifillimin e dialogut me Serbinë”, njoftuan burimet. /Gazeta Sinjali/